Fondacioni MDA në maj të vitit 2013 i hapi dyert për kompaninë Ad Box e cila tashmë ka nisur të zhvillojë aktivitetin në komunën e Prishtinës dhe po planifikon që të zgjerohet edhe në qytetet tjera të Kosovës.

Ideja e Agon Pajazitit dhe Fisnik Sopit ishte një ndër propozimet më të pëlqyera nga paneli i Fondacionit të MDA-së. Këta dy ndërmarrës të rinj nga Prishtina, me ndihmën e Fondacionit, idenë e tyre kanë arritur ta shndërrojnë në një biznes premtues.

Kompania e tyre Ad Box, e zhvilluar në inkubatorin e Fondacionit të MDA-së, e ka nisur vendosjen e kutive postare dhe hapësirave reklamuese në ndërtesat kolektive, fillimisht në Prishtinë dhe më pas të njëjtën gjë do ta bëj edhe në qytetet tjera anembanë Kosovës. Fillimisht Agoni dhe Fisniku planifikuan vendosjen e emrave në dyert e banesave. Por gjatë zhvillimit të idesë kanë menduar edhe për vendosjen e kutive postare nëpër hyrjet e banesave kolektive. Në mënyrë që kjo punë të jetë e leverdishme pronarët e kompanisë kanë menduar t’i bashkëngjisin hapësirat reklamuese.

Kompania Ad Box poashtu do të kujdeset për mirëmbajtjen e kutive postare.

“Të hyrat e Ad Box do të përbëhen nga hapësirat reklamuese dhe nje pjesë tjetër nga shpërndarja e fletushkave promocionale”, tha Agon Pajaziti nga kompania Ad Box.

Sipas pronarëve kompania Ad Box është menduar që të ofrojë një shërbim që ekziston në të gjithë botën, por që ende nuk ka filluar të jetë i pranishëm edhe në Kosovë. Përmes shërbimeve të Ad Box-it minimizohet humbja e faturave dhe letrave të ndryshme që sjellën nga postieri te banorët. “Për më tepër, hapësira reklamuese do t’i mundësojë qytetarit që të informohet për ndonjë shërbim apo produkt tjetër që i nevojitet”, shton Fisnik Sopi bashkë pronar i kompanisë.

Ad Box pas shtrirjes nëpër banesat kolektive të Prishtinës, gjatë një periudhe 1-3 vjeçare, do të vazhdoj zgjerimin edhe në qytetet tjera të vendit.

Kompania Ad Box është pajisur me të gjitha lejet, nga shumë kuvende komunale të qyteteve në Kosovë, për vendosjen e kutive postare me hapësirë reklamuese.