Management & Development Associates (MDA) u shpall implementues i projektit për aftësimin profesional të personave me nevoja të veçanta si dhe për informimin e shoqërisë për nevojat dhe aftësitë e këtyre personave. Projekti parasheh trajnimin e rreth 80 personave me aftësi te kufizuara.

Identifikimi i mundësive të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe trajnimi profesional i tyre është synimi kryesor i projektit “Krijimi i mundësive për punësim për persona me aftësi të kufizuara”, të Ministrisë së punës dhe mirëqenies sociale (MPMS). Ky projekt, që po zbatohet në partneritet me Management Development Associates (MDA) poashtu objektiv e ka edhe krijimin dhe rritjen e mundësive për punësim të personave me aftësi të kufizuara dhe vetëdijesimin e shoqërisë për punësimin e tyre.

Projekti, që menaxhohet nga kompania MDA në bashkëpunim me kompaninë austriake ipcenter.at, do të bëjë përgatitjen dhe organizimin e aktiviteteve për ngritjen profesionale të personave me aftësi të kufizuara. Aktivitetet dhe trajnimet do të organizohen në fushën e teknologjisë informative, asistencës në media, trajnime për qendër të thirrjeve, recepcionist/e, mësimdhënie, kontabilitet etj, që janë të nevojshme për këtë grup të shoqërisë. “Personat me aftësi të kufizuara do të aftësohen profesionalisht në profile specifike dhe fusha të cilat janë të nevojshme për ata në mënyrë që të krijohen mundësitë për punësimin e tyre”, tha Hamit Qeriqi drejtues i këtij projekti në MDA.

Qeriqi shtoi se MDA në bashkëpunim me partnerin nga Austria do të organizoj trajnime për aftësimin profesional të këtyre personave, dhe një fushatë informuese ku theksohet promovimi i nevojave dhe mundësive të personave me aftësi të kufizuara. Sipas MMPS-së personat me aftësi të kufizuara janë grupi më i rrezikuar ekonomikisht në vendin tonë.