Nga marsi i vitit 2014, MDA ka filluar bashkë­punimin me USAID-in për ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve të arsimit të ulët dhe të mesëm në Kosovë, përmes orga­nizimit të seminareve, trajnimeve dhe punëtorive në 15 komuna të Kosovës.

Që tetë muaj MDA është duke u angazhuar në ngritjen e kapaciteteve e mbi 5 mijë mësimdhënësve nga 15 komuna të vendit. Përfituesit kryesorë të këtij projekti janë profesorët, arsimtarët dhe përfaqësuesit komunal për arsim.

Projekti “Përkrahje për arsim themelor” (BEP), që menaxhohet nga MDA, ka nisur në mars të vitit 2014, kurse financohet nga USAID në Kosovë. “Ky projekt ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të arsimtarëve, përfaqësuesve të arsimit në shumë komuna të Kosovës, si dhe ngritjen e kapacitetit të të rinjve në përgjithesi ”, tha Robert Fejzullahu, udhëheqës i projektit. Fejzullahu shtoi se ky projekt është mirëpritur nga Ministria e Arsimit dhe nga të gjithë përfaqësuesit e komunave përfituese në Kosovë.

Qëllimi i projektit “Përkrahje për arsim themelor” është që t’i ngrisë kapacitetet e arsimit të mesëm dhe të ulët në nivel komunal por edhe të përmirësoj nivelin e cilësisë të arsimit edhe në nivel qendror të Republikës së Kosovës për nivelin e mesëm dhe të ulët. Gjatë kësaj periudhe 8 mujore në 15 komuna të Kosovës janë organizuar rreth 60 seminare, 50 punëtori, si dhe një numër i konsiderueshëm i sesioneve informuese. Poashtu, në nivel qendror janë organizuar dy konferenca një ditore për vlerësim kombëtar të arsimit ku kanë marrë pjesë rreth 600 mësimdhënës nga të gjitha sferat e arsimit nga të gjitha komunat e vendit.