Të pakta janë rastet kur fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe me dëmtime të rënda e të shëmëfishta u ofrohet mundësia që të argëtohen jashtë ambienteve familjare e shkollore dhe të socializohen me botën që i rrethon. Por në kuadër të progamit  “Përgjegjësia Sociale e Korporatave” (CSR), kompania MDA në bashkëpunim me qendrën e fëmijëve “Jetë o Jetë” për afro 2 orë u ofruan mundësi një grupi fëmijësh të kësaj kategorie që të luajnë me lodra në një ambient plot ngjyra e muzikë, të argëtohen nën shoqërimin e Borëbardhës dhe të shijojnë ushqime të ndryshme.

Blerina Halilaj, psikologe në Qendrën Burimore për Këshillim dhe Mësim “Përparimi” punon me fëmijët me aftësi të kufizuara, me dëmtime të rënda dhe të shumëfishta. Ajo thotë se aktivitetet e ngjashme si ky i organizuar nga MDA dhe Jetë o Jetë u ndihmojnë fëmijëve të socializohen me ambiente tjera përveç shkollës si dhe të mësojnë duke prekur shumë gjëra.

“Në këtë mënyrë atyre u zhvillohen edhe aftësitë e adaptimit dhe socializimit. Synimi ynë është që të punojmë në pavarësimin dhe edukimin e tyre në mënyrë që në të ardhmën ata të jenë të pavarur , të paktën për nevojat e tyre. Ne si shkollë kemi aktivitetet tona, por po mundohemi që përmes bashkëpunëtorëve të jashtëm siç është MDA dhe Jetë o Jetë t’i argëtojmë fëmijët edhe në forma tjera”, shprehet psikologja Blerina Halilaj.

MDA që nga viti 2012 ka krijuar një fond të veçantë për të kontribuar vullnetarisht dhe aktivisht me qëllim të përmirësimit të kushteve sociale, ekonomike dhe mjedisore në vend. Parim kryesor i programit “Përgjegjësia Sociale e Korporatave” është që përmes aktiviteteve të ndryshme, siç ishte kjo me fëmijët me aftësi të kufizuara, të ndërtohet një shoqëri më e mirë.  Aktivitete të ngjashme janë organizuar me fëmijët e Down Syndrome Kosova dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve, ndërsa si pjesë e këtij programi po vazhdojnë edhe ligjëratat dhe trajnimet e ndryshme për studentët e Universitetit të Prishtinës.