Kompania Management Development Associates (MDA) në kuadër të programit për promovimin e përgjegjësisë shoqërore të korporatave (CSR) organizoi ngjarjen për fëmijët e organizatës Down Syndrome Kosova.

Kjo ngjarje e organizuar për herë të parë me fëmijët me  Down Syndrome u përcoll me aktivitete të ndryshme për këta fëmijë.

Fëmijët patën mundësi të argëtohen me muzikë dhe vallëzime, të marrin pjesë në aktivitetin e ngjyrosjes së fytyrës, ku shumë prej tyre zgjodhën super-heronjtë e tyre të preferuar. Ata luajtën lojëra të ndryshme me Borbardhën dhe Rapunzel, Mickey Mouse-in dhe maskota tjerë që ishin prezent në këtë ngjarje. Për fëmijët ishin përgatitur edhe ushqime, ëmbëlsira dhe pije të ndryshme.

Një nënë e cila ishte pjesë e ngjarjes për të përcjell fëmijën e saj, u shpreh se “organizimi është shumë i mirëseardhur dhe i qëlluar për fëmijët sepse i ka gëzuar ata pamasë”. Me tej ajo tha se shpreson qe aktivitetet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Ndërsa Ekrem Hajdari, drejtori ekzekutiv i MDA-së, u shpreh i ngazëllyer me gjithë fytyrat e buzëqeshura e tejet të lumtura të fëmijëve që ishin prezent në ngjarje.

Në fund ngjarja u përmbyll me shpërndarjen e dhuratave nga babadimri, i cili vizitoi këtë ngjarje enkas për t’i gëzuar fëmijët me dhurata nga më të ndryshme.

Ngjarja ishte vetëm një nga aktivitetet e planifikuara në kuadër të programit CSR për vitin 2015.

MDA që nga viti 2012, ka krijuar fondin për promovimin e përgjegjësisë shoqërore të korporatave që t’ju mundësohet bizneseve te ndryshme që të dhurojnë fonde për projektet e shoqërisë.