Turizmi rural i Kosovës dhe i Malit të Zi pritet të zhvillohen tutje në saje të projektit “Revitalizimi i komuniteteve lokale për zhvillimin e turizmit dhe rinisë”, financuar nga Bashkimi Evropian, si pjesë e programit për bashkëpunimin ndërkufitar Kosovë-Mali i Zi.

Të dyja vendet kanë pasuri të pashfrytëzuara natyrore, që janë potencial i madh për zhvillimin e turizmit malor dhe rural, por sfidat ekonomike, sociale dhe mjedisore, po e pengojnë zhvillimin e këtij sektori. Ndërkohë që në Malin e Zi sektori i turizmit është zhvilluar viteve të fundit, duke u përqëndruar kryesisht në turizmin detar, në Kosovë, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, turizmi malor ka shënuar një rritje të lehtë prej 2.42% në vitin 2014, por numri i vizitorëve mbetet ende i ulët.

Për të përmirësuar infrastrukurën e nevojshme dhe për të promovuar turizmin malor dhe rural, komuna e Junikut në Kosovë me partnerin e saj lokal, Fondacionin MDA dhe komuna e Andrijevicës në Malin e Zi me partnerin e saj lokal Asociacionin e Studentëve të Sportit, do të punojnë së bashku përgjatë 18 muajve të realizimit të projektit të financuar nga BE.

Juniku dhe Andrijevica kanë potencial të madh për zhvillimin e turizmit rural afër Parkut Moronica në Junik dhe fshatit japonez në Andrijevicë. Projekti synon të shtojë numrin e vizitorëve në këto zona, sidomos të të rinjve, e me këtë të gjenerojë të hyra dhe vende të reja të punës. Kësisoj, me fuqizimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe nismave të përbashkëta me rininë në fushën e turizmit, do t’i kontribuohet edhe zhvillimit socio-ekonomik.

Grupi i parë i aktiviteteve do të përqëndrohet në përmirësimin e infrastrukturës, ashtu që baza e vjetër ushtarake në fshatin japonez në Andrijevicë të transformohet në hostel për vizitorë. Mirëmbajtjen dhe menaxhimin e saj do ta bëjë Asociacioni i Studentëve të Sportit në Malin e Zi. Ndërsa në parkun Moronica në Junik do të ndërtohet një objekt shumë-funksional sportiv, një zonë me ekuipazh për lojëra rekreative në natyrë dhe një mulli tradicional me ujë “Valavica”. Objektet e ndërtuara turistike do të jetë të pajisura mirë dhe do të kenë një plan gjithëpërfshirës të menaxhimit.

Pjesa e dytë e aktiviteteve do të kenë në fokus fuqizimin e të rinjve në Junik dhe Andrijevicë, përmes pjesëmarrjes në “Kampin Veror Ndërkufitar për të Rinjtë”. Ky kamp nuk do të shërbejë vetëm si aktivitet i përbashkët që fuqizon shoqërimin e rinjve nga zonat ndërkufitare, por do të krijojë mundësi për të rinjtë e dy komunave që të përfitojnë përvojë nga aktivitetet e ndryshme ku ndërthurren rekreacioni dhe ndërmarrësia. Aktivitete të tilla do t’i mundësojnë të rinjve që të shijojnë bukuritë natyrore në malet përgjatë kufirit Kosovë-Mali i Zi, duke i sfiduar njëkohësisht që të jenë kreativë me idetë e tyre për të promovuar dhe mbështetur zhvillimin e turizmit në komunitetet e tyre lokale.

Pjesa e tretë dhe e fundit e aktiviteteve ka për qëllim të dizajnojë dhe zbatojë një fushatë promovuese për vlerat turistike të zonave rurale dhe malore në zonën e Junikut dhe Andrijevicës. Për të përcjellë mesazhet tek turistët vendorë dhe ndërkombëtarë do të shfrytëzohen fushatat në mediat sociale, artikujt në portale, broshurat dhe buletinet elektronike, etj. Në këtë kuadër, në Junik do të organizohet festivali i parë vjetor “Valavica Fest”, ndërsa në Andrijevicë, ekipi i të rinjve pjesëmarrës në program, do të jetë nikoqir i aktiviteteve të ndryshme rekreative.

Zbatimi i këtij projekti do të filloj në shkurt të vitit 2016.