Rreziqet që mbartin platformat sociale për të rinjtë janë të shumta. Ata shpenzojnë çdo ditë e më shumë kohë në platforma si Instagram, Snap Chat, Tik Tok etj dhe rreziqet bëhen më të dukshme.

K.Zh. dhe E.R. janë 15 vjec. Ato qëndrojnë gjithnjë bashkë dhe ndjekin një shkollë të mesme në periferi të Tiranës. Të dyja vajzat kanë pohuar se janë kërcënuar në rrjetet sociale nga persona të panjohur. Edhe vajzat e tjera të klasës, kanë patur situata të ngjashme. Vajzat arritën të flasin për këtë gjë, gjatë takimeve të organizuara nga UNICEF Albania në bashkëpunim me Management and Development Associates (MDA) si pjesë e fushatës së ndërgjegjësimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Mësues, prindër, por edhe psikologë të cilët kanë marrë pjesë në këto takime, kanë ngritur fort nevojën që të rinjtë t’i referojnë këto raste së pari tek prindërit, mësuesit dhe psikologu e me pas tek strukturat e policisë, punonjësve socialë apo Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Psikologët në këto shkolla kanë veçuar rëndësinë e këtyre takimeve për nxënësit e tyre, që të mos heshtin para këtyre rasteve, por të kenë guximin t’i raportojnë, duke ndjekur zinxhirin e mekanizmave të referimit. Vetë të rinjtë u shprehën se informimi i tyre, por edhe i familjarëve është po kaq i rëndësishëm në parandalimin e këtij fenomeni.