Ekzistojnë pak shembuj tek ne, që organizojnë evente me fëmijët me sindromin Down, por në kuadër të programit “Përgjegjësia Sociale e Korporatave (CSR)”, MDA që nga viti 2012 ka realizuar dhjetra aktivitete të ndryshme me fëmijët e Down Syndrome Kosova dhe SOS Fshatrave të Fëmijëve. Vetëm në vitin që po e lëmë pas, janë realizuar mbi 20 aktivitete argëtuese dhe edukative për këta fëmijë. Arsyeja kryesore që është ndërmarrë kjo nismë është neglizhenca e komunitetit ndaj këtyre fëmijëve.

“Qëllimi primar ka qenë që t’u ofrojmë mundësi këtyre fëmijëve që të argëtohen jashtë ambienteve të zakonshme, të shohin se bota që i rrethon është përplot ngjyra, të mësojnë duke i parë dhe i prekur gjërat, të socializohen me të tjerët e të marrin dashuri prej nesh dhe ?’është e rëndësishmja, të ju dëshmojmë se nuk janë vetëm. Në jetën e përditshme, secili prej nesh është i angazhuar me punë dhe përgjegjësi, gjë që na privon të jemi më afër këtyre fëmijëve. Por aktivitetet si ato që ne i kemi realizuar janë ideale që të shkëputemi nga rutina e zakonshme dhe t’u ofrojmë kënaqësi e dashuri fëmijëve me sindromin Down dhe pa përkujdesje prindërore. Unë jam shumë e lumtur teksa i shoh ata të entuziazmuar duke qeshur, luajtur e vallëzuar. ?do ditë e më tepër lutem që jeta e tyre të jetë plot lumturi e dashuri dhe që ata të ndjehen si pjesë e barabartë e shoqërsisë sonë”, shprehet Ema Uka, koordinatorja e programit CSR.

Në rutinën tonë, shpesh harrojmë se ekziston edhe kjo kategori e shoqërisë, e cila ka shumë nevojë për mbështetjen tonë, për t’u rikthyer buzëqeshjen dhe bërë pjesë integruese të jetës sonë.
“Mesazhi ynë kryesor është se “ata janë ne” dhe anasjelltas “ne jemi ata”. Me një fjalë të gjithë jemi të barabartë dhe duhet të gëzojmë të drejta të njejta. Fatkeqësisht situata në terren është larg së dëshirueshmes. Prandaj ne po përpiqemi që përmes aktiviteteve tona, t’i nxisim edhe kompanitë tjera të mendojnë për këta fëmijë. Vazhdimisht jemi në kërkim të bashkëpunëtorëve për organizimin e sa më shumë aktiviteteve edukative dhe argëtuese, në të cilat do të angazhoheshin fëmijë jo vetëm nga Prishtina por edhe më gjerë. Krejt kjo me qëllim që ata të jenë pjesë e jona dhe të mos neglizhohen nga askush.

Deri tani kemi hasur në bashkëpunim mjaft të mirë me qendrën “Jetë o Jetë”, ku edhe janë zhvilluar shumë aktivitete dhe së fundi me operatorin “Vala” që na ka ndihmuar në realizimin e aktiviteteve festive për Vitin e Ri”, tregon Ema. Në fakt, shoqëria dhe institucionet tona duhet të jenë më të vëmendshme ndaj kësaj kategorie të shoqërisë. Në radhë të parë nuk duhet lejuar që për këta fëmijë të kujdesen vetëm familjarët e tyre apo edukatoret. Është obligim i të gjithëve që t’i pranojmë fëmijët me sindromin Down ashtu sic janë, pa paragjykime, të kujdesimi që ata të kenë qasje të barabartë në arsim, të ndërhyjmë sa më herët për t’i aftësuar dhe trajnuar në aspektin profesional.

“Njëherit t’i edukojmë fëmijët tanë dhe gjeneratat e reja që t’i shërbejnë komunitetit, t’u ofrojmë këtyre fëmijëve lirinë dhe dashurinë që e meritojnë. Të mos ju shmangemi, të mos i neglizhojmë sepse mjafton vetëm 1 orë nga dita jonë për të parë se sa pozitivisht do të ndikojmë në lumturinë e tyre. Nga aktivitet e deritanishme që kemi realizuar me këta fëmijë, kemi vërejtur se sa të lumtur kanë qenë edhe fëmijët, edhe prindërit e tyre. Për ne është kënaqësi e madhe që frytet e punës sonë t’i shohim përmes buzëqeshjeve të fëmijëve. Si kompani do të vazhdojmë të angazhohemi për mirëqenien e fëmijëve me sindromin Down por edhe fëmijëve pa përkujdesje prindërore. Shpresoj që nismës sonë do t’i bashkohen edhe kompanitë tjerë dhe e tërë shoqëria”, rrëfen Ema Uka. (Revista Flatra)