Në vazhdimësi të programit “Përgjegjësi Shoqërore Korporative” (CSR), MDA dhe qendra e fëmijëve “Jetë O Jetë”, organizan dy ngjarje me aktivitete për fëmijët e organizatës Down Syndrome Kosova dhe fëmijët e organizatës SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë.

Këto ngjarje janë vazhdimësi e programit të MDA-së për kontribut në shoqëri. Këtë herë ngjarjet u organizuan në bashkëpunim me qendrën argëtuese për fëmijë, të rinj dhe familjarë “Jetë O Jetë” që gjendet në qendrën tregtare Çarshia në lagjen Marigona Rezidence.

Fëmijët e shoqatës Down Syndrome Kosova, rreth 20 fëmijë, kishin mundësi që të argëtohen për rreth 2 orë duke luajtur me lodra në ambientin e “Jetë o Jetë”. Për ta ishin përgatitur edhe ushqime të ndryshme, pije dhe ëmbëlsira. Përveç lodrave, për argëtimin e tyre u përkujdes edhe hirushja që u përkujdes për kënaqësinë e fëmijëve. Në fytyrat e fëmijëve u pa një ngazëllim që tregonte se koha që ata e kaluan në këtë ambient plotë ngjyra ishte një përjetim shumë i mirë. Një nga fëmijët u shpreh se shpreson shumë të vijë prapë sepse atij i pëlqeu shumë.

Poashtu, sot u mbajt ngjarje e njëjtë edhe për rreth 30 fëmijët e organizatës SOS Fshatrat Fëmijëve Kosovë, në ambientin e qendrës Jetë O Jetë. Kjo ngjarje ishte shumë e mirëseardhur për këta fëmijë të cilëve u ofrua një mundësi të argëtohen dhe mundësi edhe të shoqërohen me bashkëmoshatarët e tyre.

Aktorja e serialit te mirënjohur “O sa mire” Ema Uka, qe njëherësh është edhe koordinatore e programit CSR ne MDA, thotë se është kënaqësi e madhe qe t’i ofrojmë fëmijëve te këtyre organizatave kënaqësinë të kenë aktivitete te tilla. “Ne si kompani, qe jemi pjese e rrjetit për përgjegjësi shoqërore në Kosove, dhe unë si fytyre publike, jemi të përkushtuar që të kontribuojmë për shoqërinë e Kosovës” thotë Ema. Ajo vazhdon duke cekur se ky është aktiviteti i 8 që tashmë është organizuar për fëmijët e këtyre organizatave dhe çdo herë e më shumë gjej kënaqësi më të madhe me këto fëmijë.

Në anën tjetër përfaqësuesit e qendrës “Jetë o Jetë” shprehen shumë të privilegjuar që kishin mundësinë të kontribuojnë dhe të jenë pjesë e organizimit të këtyre ngjarjeve dhe ti ofrojnë fëmijëve rastin të argëtohen, duke u shoqëruar me bashkëmoshatarët e tyre. Ata thonë se do të vazhdojnë të angazhohen në organizimin e ngjarjeve dhe aktiviteteve të tilla për fëmijët e këtyre dy organizatave edhe në të ardhmen.