Inspektorati i Punës në Kosovë ka arritur të ketë monitorim më efikas si dhe të zbatojë më mirë ligjet e rregulloret në fushën e shëndetit dhe sigurisë në punë. Kjo falë projektit “Mbështetje Inspektoratit të Punës”, që financohet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga një konsorcium ndërkombëtar i udhëhequr nga MDA.

Objektivë kryesore e këtij projekti ishte përmirësimi i përputhshmërisë ligjore të punëdhënësve me ligjin e punës dhe atë të shëndetit e sigurisë në punë, me qëllim të përmirësimit të gjendjes shëndetësore dhe sigurisë së punëtorëve në sektorin privat, publik, në përputhje me legjislacionin e BE-së (EU Asquis).

Projekti ka filluar para dy vitesh dhe tani është në fazën përfundimtare. Drejtuesit e tij shprehen të kënaqur me sukseset e arritura, duke theksuar se janë tejkaluar pritjet. Sipas drejtorit të projektit, Driton Dalipi struktura organizative e Inspektoratit të Punës është më efikase tani, gjë që ka ndikuar në përmirësimin e shërbimeve të këtij institucioni. Gjithashtu janë hartuar pesë akte nënligjore në harmoni me legjislacionin e BE-së, që i kanë ndihmuar stafit të Inspektoratit të Punës në zhvillimin e shkathtësive të reja.

Në kuadër të projektit është dizajnuar edhe sistemi i ri informativ, që e lehtëson dukshëm punën e Inspektoratit në mbledhjen dhe procesimin e të dhënave nga terreni.

“Ne e kemi dizajnuar vet softuerin, i cili ju mundëson atyre që të kenë të dhëna të përditësuara për numrin e punëtorëve të regjistruar, për taksat e paguara nga bizneset përkatëse si dhe të dhëna të tjera, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt që inspektorët të kryejnë auditimet shumë më shpejtë dhe të fusin të dhënat në databazë nga terreni”, tha Dalipi.

Projekti “Mbështetje Inspektoratit të Punës” ishte paraparë të përfundonte në tetor, por ai është vazhduar deri në prill 2016 me qëllim që stafi i Inspektoratit të aftësohet për përdorimin e sistemit të ri informativ. Në këtë mënyrë, inspektorët e punës do të jenë në gjendje të auditojnë më shumë punëdhënës dhe njëkohësisht të adresojnë më shumë ankesa të punëtorëve.

“E arritura më e madhe e këtij projekti është që Inspektorati i Punës tani ka mundësi që të planifikojë punën e tij më mirë dhe të jetë më efektiv në terren”, thekson drejtori i projektit Driton Dalipi nga MDA.

Krahas këtij projekti, Inspektorati i Punës do të pranojë asistencë shtesë nga fondet e BE-së (Instrumentit për Para-Anëtarësim IPA), për harmonizimin e plotë të legjislacionit të punës me atë të Bashkimit Evropian.