Shkruar nga z. Ardian Jashari – Partner Menaxhues në MDA

Jo rrallëherë ndërmarrësit e rinj duan të bëjnë biznes por nuk e dinë drejt së cilës rrugë duhet të shkelin. E kjo hamendje apo thënë më mirë ky ekuacion me shumë të panjohura mendjen time e ktheu diku 13 vjet në kohë – atje në vitin e largët 2001 kur edhe vetë kisha jo pak hamëndësime se nga të orientohem si ndërmarrës i ri në moshë dhe përvojë.

Trembëdhjetë vjet pas hamëndësimeve fillestare mund të them se tashmë e di se çka i duhet një personi për t’i hyrë dhe për t’u përballur me sukses në aventurën e të bërit biznes. Këtë vit me partnerët themelues dhe punëtorë të shumtë e shënuam 14 vjetorin e kompanisë Management Development Associates apo MDA siç njihemi shkurt në opinionin publik të vendit. Për një moment e kujtuam periudhën fillestare të nisjes së biznesit në vitin 2001 kur dëshironim të krijonim një biznes por nuk e kishim idenë se çfarë nënkuptonte një këso aventure.

Por u pajtuam se nuk gabuam që e themeluam kompaninë tonë. Management Development Associates sot e ka ndërtuar reputacionin e një kompanie profesionale me staf kompetent dhe me kapacitete të fuqishme të brendshme për implementimin e projekteve në fusha të ndryshme.

Para ca kohe një mik i mirë më pyeste se cilat janë pikat e forta të MDA-së? Ashtu i habitur me pyetjen mbeta i shtangur duke e parë atë në sy. Nisa ti sillja nëpër mend pikat e shumta të forta por në realitet nuk mund t’i jepja përparësi ndonjërës. Derisa mikun e lashë pa përgjigje, vendosa që përparësitë e kompanisë tonë t’i hedh në letër. Edhe pse kishte shumë pika të forta vendosa ti elaboroj vetëm 5 prej tyre. E mikut tim do i them se listën me pikat e forta të MDA-së mund ta lexoj në këtë numër të magazinës së MDA-së. Në vijim ai mund ta gjej përgjigjet në pyetjen e tij.

1) Stili i menaxhimit pa mbikqyrje

Kompania MDA menaxhmentin e ka të ndarë nga pronarët. Përveç menaxhmentit kryesor, që kujdeset për menaxhimin e kompanisë në përgjithësi, pjesë e rëndësishme e saj janë edhe menaxherët e divizioneve të cilët kujdesen për zhvillimin e biznesit si dhe për menaxhimin e projekteve brenda divizioneve përkatëse. Kurse menaxherët e tjerë janë të angazhuar në drejtimin e projekteve të kompanisë. E të gjithë këta menaxherë përkrahen vazhdimisht nga stafi tjetër mbështetës.

Në kompaninë MDA mbizotëron fryma e bashkëpunimit dhe puna ekipore. I gjithë stafi i gëzohet sukseseve së bashku dhe të gjithë i përjetojnë vështirësitë të bashkuar. Kjo mënyrë e punës është e ngulitur në ADN-ën e kompanisë tonë që nga ditët e para të punës.

2) Orientimi në rezultate

Kompania MDA është plotësisht e orientuar në rezultate. Menaxhmenti i kompanisë çdo vit i përgatit planet strategjike dhe ato operacionale. Këto plane monitorohen në vazhdimësi në baza tremujore. Bëhen krahasime me vitin e kaluar dhe me planin e aprovuar. Poashtu, vlerësohen objektivat strategjike vjetore të kompanisë. Kjo e lehtëson shumë punën tonë ngase të gjithë e dimë saktë se ku jemi, ku dëshirojmë të jemi dhe si do të arrijmë atje.

3) Fokusi në projektet afatgjata

Në vitet e para të funksionimit kompania nuk kishte orientim strategjik. Çdo klienti që trokiste në derë me çfarëdo kërkese që kishte ne i përgjigjeshim me vullnet të madh duke i ofruar zgjidhjen e kërkuar edhe në ato raste kur kërkohej veprim super i shpejtë dhe urgjent. Por më vonë e kuptuam se kështu nuk mund të shkojnë punët.

Kompania ka nevojë për stabilitet dhe ne kemi nevojë për të arritur rezultate të qëndrueshme dhe ndikime afatgjatë me punën tonë. Prandaj vendosëm që t’i përqendrojmë të gjitha forcat në projektet afatgjata.

Vendosëm të punojmë me klientët tanë duke filluar që nga planifikimi, dizajnimi dhe implementimi i aktiviteteve, monitorimin, vlerësimin e tyre dhe në fund të kënaqemi duke shkruar raportet finale ku përmbledhim rezultatet e arritura.

4) Ofrimi i zgjidhjeve për klientët

Asnjëherë nuk e kemi harruar se klientët janë ata që e mbajnë gjallë biznesin tonë. Prandaj, ne i trajtojmë si mbretër. Mendojmë si ata, punojmë se bashku në arritjen e objektivave të përcaktuara nga ata dhe ndihemi pjesë e tyre. Kjo bën që edhe ata të ndihen mirë. Bën që ata të na kërkojnë përsëri.

5) Rekrutimi i njerëzve

I kemi kushtuar kujdes të veçantë rekrutimit të njerëzve në kompaninë tonë. Rekrutojmë njerëz që adaptohen lehtë në filozofinë tonë të biznesit dhe që qëndrojnë larg egove personale. Në kompaninë tonë afrojmë profesionistë që nuk janë të uritur për pozita e tituj, por që janë të dhënë ndaj punës në ekip dhe që janë të gatshëm për të mësuar nga njëri tjetri. Në kartelat tona të biznesit janë të shënuara vetëm emrat kurse titujt janë ata që mungojnë. MDA është një familje e madhe ku të gjithë kujdesen për njëri tjetrin.

Duke i shkruar këto pesë pika mu kujtuan edhe mjaft të tjera. Secila prej tyre ndërlidhet me ndonjërën nga këto lartë. Prandaj kësaj here po e lë me kaq.