Në vazhdimësi të programit “Përgjegjësi Shoqërore Korporative” (CSR), MDA organizoi ngjarjen e tretë në kuadër të këtij programi, këtë radhë me tregime për fëmijët e organizatës SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovë.Kjo ngjarje është vazhdimësi e programit të MDA-së për kontribut në shoqëri. Pas ngjarjes që në fillim të këtij muaji u organizua për fëmijët e kësaj organizate ku rreth 80 fëmijë u gëzuan aktiviteteve me lodra në ”MAXI Kids” në Prishtinë, MDA organizoi një ngjarje ku rreth 15 fëmijë morën pjesë në leximin e tregimeve të ndryshme, që u lexuan nga Ema Uka, aktore e mirënjohur Kosovare.

Kjo ngjarje, e cila këtë radhë u mbajt në ambientet e SOS Fshatrave, mblodhi fëmijë të moshave të ndryshme të cilët iu gëzuan tregimeve nga më të ndryshme. Pas tregimeve, që u lexuan nga Ema, fëmijët patën mundësinë të tregojnë se si ata i kuptuan ato. Shumë nga ta treguan versionin e tyre të tregimeve.

Po ashtu ata treguan edhe ëndrrat e tyre se çfarë dëshirojnë të bëhen kur të rriten.

Kështu, Visari i cili është 8 vjeçar, tregoj se kur të rritet dëshiron të bëhet profesor i lëndës së matematikës. Ndërsa Lauresa, 10 vjeçe tregoi se ëndrra e saj është që një ditë të bëhet presidente e Kosovës.
Pas tregimeve dhe diskutimit që u zhvillua, fëmijët patën edhe mundësinë që të shprehin ëndrrat e tyre përmes vizatimeve.

Në anën tjetër Ema Uka u shpreh shume e ngazëllyer me mundësinë që i është ofruar ti gëzojë fëmijët e SOS fshatrave me leximin e tregimeve për ta dhe për t’i dëgjuar ëndrrat e tyre.

“Shumë prej tyre treguan se ëndërrojnë të bëhen sportist, profesor të fushave të ndryshme etj, e kjo më dha një ndjenjë shumë të mirë.” u shpreh Ema.

“Jam shumë e lumtur që si staf i MDA-së kam mundësi të jem pjesë e programit CSR dhe të kontribuoj që t’i gëzojmë fëmijët e SOS fshatrave dhe fëmijët me DownSyndrome”, tha Uka.

Gjatë muajve në vijim në planifikimin e MDA-së janë edhe 23 aktivitete të ndryshme ku do të përfshihen fëmijët e Down Syndrome Kosova dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë. Këto aktivitetet do të vazhdojnë me vizita në kinema, teatër, lojëra sportive, pikniqe etj. Po ashtu në programin e CSR të MDA-së janë edhe studentët e universitetit të Prishtinës ku për ta do të organizohen trajnime dhe ligjërata të ndryshme.

Që nga viti 2012, MDA ka krijuar fondin për promovimin e përgjegjësisë shoqërore të korporatave që t’ju mundësohet bizneseve te ndryshme që të dhurojnë fonde për projektet e shoqërisë.