Me krenari ju njoftojmë se MDA-ja dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë kanë vendosur ta zgjasin bashkëpunimin mes tyre. MDA-ja e filloi zbatimin e projektit Shtëpia e Evropës në janar 2018 duke synuar rritjen e nivelit të informimit dhe vetëdijesimit publik të popullatës shqiptare rreth Bashkimit Evropian dhe politikave e programeve të tij, rreth ndikimit të tyre në jetën e përditshme të qytetarëve, rreth procesit të anëtarësimit dhe rreth anëtarësisë në BE.
Në vitin 2020, zbatimi i projektit ndryshoi sepse përfshiu një periudhë rehabilitimi pas tërmetit dhe u ndikua nga pandemia Covid-19. Sidoqoftë, ekipi ynë arriti të përshtatet me shpejtësi me rrethanat e reja të krijuara dhe produktet tona të komunikimit u vlerësuan me dy çmime rajonale.
Gjatë vitit 2021, projekti planifikon të vazhdojë zbatimin e fushatës Evropa është Këtu, e cila u konsiderua si sukses madhor gjatë vitit 2020.
U jemi shumë falënderues anëtarëve të ekipit tonë themelor të ekspertëve kyç dhe jo kyç, ekipit tonë mbështetës, ekspertëve tanë afatshkurtër, dhe nënkontraktorëve tanë.