Management & Development Associates në fund të muajit tetor ka përfunduar menaxhimin trevjeçar të Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së (EUICC) në Prishtinë dhe në Mitrovicën Veriore, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian. Të dyja qendrat, kanë ofruar informata mbi Bashkimin Evropian, institucionet dhe politikat e tij, marrëdhëniet Kosovë – BE dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Gjatë tre viteve të kaluara, EUICC është vizituar nga mijëra qytetarë, të cilët kanë kërkuar informacione mbi mundësitë për shkollim në BE, mbi ndihmën financiare të Bashkimit Evropian për zhvillimin e Kosovës etj. Krahas kësaj, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë dhe ajo në Mitrovicën Veriore kanë organizuar me sukses qindra aktivitete – duke përfshirë ato për Ditën e Evropës – që kanë synuar ngritjen e vetëdijes dhe njohurive të publikut, veçanërisht të të rinjëve mbi kostot dhe përfitimet e procesit të integrimit në BE. Gjithashtu qendra ka organizuar aktivitete kulturore si: ekspozita arti, shfaqje filmash si dhe aktivitete tjera kulturore të ndërlidhura me BE-në.

Pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të EUICC-së kanë qenë edhe fëmijët, të cilët janë angazhuar në aktivitete të ndryshme edukative si punëtoria për hartimin e tregimeve të shkurtra, prezentimi i nismave për mbrojtjen e ambientit, garë për punimin më të mirë artistik për mjedisin dhe shëndetin, ligjërata për ushqimin e shëndetshëm, ligjërata mbi njohuritë themelore për BE-në, koncerte për Ditën e Evropës etj.

Përveç organizimit të aktiviteteve, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së ka shërbyer edhe si nikoqir për një mori ngjarjesh të ndërlidhura me Bashkimin Evropian të organizuara nga Zyra e BE-së/EUSR, vendet anëtare, projektet e BE-së por edhe organizatat e ndryshme joqeveritare. Ndërsa studentët, gazetarët dhe qytetarët tjerë të interesuar kanë mundur të shfrytëzojnë pa pagesë këndin e internetit dhe këndin e leximit. Bibloteka e EUICC-së u ka ofruar lehtësi të konsiderueshme studentëve për t’u qasur në disa prej publikimeve më të rëndësishme të Komisionit Evropian të përkthyera në gjuhët lokale, në publikimet e vet Qendrës si dhe ato të projekteve të BE-së.

Menaxhimi për tre vite me radhë i Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së nga MDA dëshmon suksesin e kompanisë në realizimin e këtij projekti dhe bashkëpunimin e mirë me Zyrën e BE-së. MDA ka përvojë 14 vjeçare në zbatimin e projekteve të ndryshme në fushën e komunikimit si dhe në fusha tjera për donatorët vendorë dhe ndërkombëtarë.