Zyrtarë të pesë organizatave buxhetore janë aftësuar profesionalisht në planifikimin e buxhetit të vendit. Ata nga ekspertët ndërkombëtarë janë njohur në praktikat e Bashkimit Evropian. Projekti është menaxhuar nga Management Development Associates në partneritet me ECORYS.

Zyrtarët për financa të katër ministrive dhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të ngarkuar me planifikimin e buxhetit, kanë përfituar nga projekti “Asistencë teknike për përmirësimin e menaxhimit të financave publike në disa organizata buxhetore të caktuara” të financuar nga Banka Botërore dhe të implementuar nga MDA dhe ECORYS.

Nga ky projekt poashtu kanë përfituar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Shëndetësisë. Ndihma e këtij projekti konsiston në ofrimin e trajnimeve dhe këshillimeve profesionale lidhur me procedurat buxhetore të vendit.

“MDA, së bashku me ECORYS, në muajin nëntor 2012 ka filluar implementimin e projektit për përmirësimin e financave publike, ku theks i veçantë i jepet aftësimit të stafit vendor dhe dhënies së këshillave në lidhje me procesin buxhetor të vendit”, tha Shpend Miftari nga MDA dhe zëdhënës i projektit. Miftari sqaroi se MDA i ka përmbushur kriteret për zhvillimin dhe implementimit e projektit dhe, për trajnimin e stafit të departamentit të buxhetit.

Në këtë projekt MDA bashkëpunon me kompaninë holandeze ECORYS me përvojë mbi 60 vjeçare në menaxhim të projekteve. Projekti është në fazën përfundimtare. Gjithsej janë mbajtur më shumë se 12 trajnime, me tema të ndryshme si kostimi, planifikimi buxhetor, identifikimi i indikatorëve kyç të performancës. Aktivitetet tjera të projektit kanë përfshirë tryeza të rrumbullakëta dhe punime të përbashkëta me zyrtarët më të lartë të departamentit të buxhetit.