Tanimë dihet botërisht që njerëzit, gjegjësisht punonjësit, janë burimi dhe pasuria më e vlefshme që një kompani apo punëdhënës mund të ketë. Por ajo çfarë shumica prej nesh nuk e dijmë është se këta njerëz posedojnë një potencial shpesh herë të fshehur por sigurisht të pakufizuar. Me aftësitë e tyre, për të zgjidhur çfarëdo problemi por edhe për t’ju përshtatur çfarëdo rrethane, janë pikërisht njerëzit tanë të cilët dëshmojnë se janë mendja dhe fuqia e organizatës sonë.

Sër Ken Robinson, një dijetar dhe lider në fushën ndërkombëtare të inovacionit dhe burimeve njerëzore, e thotë këtë më së miri: “Burimet njerëzore janë sikurse burimet natyrore; shpesh të fshehura thellë nën tokë. Andaj edhe duhet t’i kërkoni ngase ato nuk rrijnë të shtrira përreth nëpër sipërfaqe. Ju duhet t’i çgroposni ato dhe të krijoni rrethanat që këto burime të dalin në sipërfaqe e të tregojnë vehten”.

Andaj, ne duhet medoemos të krijojmë kushtet dhe rrethanat të cilat mundësojnë daljen në pah të këtij potenciali të pashterrur inovativ që kanë njerëzit tanë.
Edhe pse ka organizata që këtë e bëjnë me sukses, tek ne në Kosovë shumica nuk po arrijmë dot që të zbulojmë dhe, rrjedhimisht, të shfrytëzojmë potencialin e pakufizuar të stafit tonë. Kjo në fakt ndodhë ngase shpesh herë në organizata vazhdojnë të ekzistojnë pengesa apo kufizime si p.sh. (a) konsiderimi apo vlerësimi i mendimit të klientit por jo edhe të punonjësit, sikurse edhe (b) mbajtja për vehte e informacioneve me rendësi jetike, sa për të ruajtur pozitën apo gradën në organizatë. Situatën mund t’a rëndojnë tutje edhe disa kufizime ose formalitete të thjeshta si p.sh. supozimet se gjoja (c) hierarkia në organizatë duhet të jetë e pakontestueshme, apo edhe që (d) në zyrë duhet të jemi patjetër me kohë.

Pra, të gjitha këto dhe dukuri e praktika të tjera na kufizojnë që të krijojmë ambientin e duhur për optimalizimin e potencialit dhe talentit të njerëzve tanë.
E për t’u mos u kufizuar në këtë, ne në MDA mëtojmë t’i thyejmë kufijt e përshkruar më lartë, duke mundësuar kështu që secili punonjës të dëshmohet e të kontribuojë në arritjen e qëllimeve të kompanisë. Këta kufij po i thyejmë duke larguar barriera të shumta në komunikim dhe bashkëpunim të ndërsjelltë në mes të kolegëve të cilido niveli, pozite apo divizioni. Pra, nuk ka më kurrfarë kufizimi që një punonjës, ndoshta edhe shumë i ri në detyrë, të mos komunikojë direkt, në çfarëdo kohe e për çfarëdo çështje me secilin nga kolegët e menaxhmentit të lartë, e qoftë edhe me vet Drejtorin Ekzekutiv. Në shumë raste ne punojmë ngushtë së bashku në ekipe nëpër projekte të ndryshme pavarësisht pozitës apo rangut në strukturën organizative si dhe divizionit që i takojmë. Edhe pse e ndarë sipas funksioneve, kjo e bën strukturën tonë organizative goxha lineare, gjegjësisht të rrafshët. Kjo do i mundësojë secilit nga ne, që ka guximin dhe potencialin për të shkëlqyer në punë, të marrë lidershipin në punët dhe detyrat e caktuara përderisa të tjerët do e përcjellin atë me zell e qejf.

Me këtë, ne gradualisht kemi kaluar nga nevoja për menaxher tradicional në atë për lider të së ardhmes. Pra, përderisa në shumë organizata në Kosovë vazhdohet me rekrutimin e sa më shumë menaxherëve, të cilët do mbikqyrin punonjësit, e pastaj prapë me rekrutimin e më shumë menaxherëve, për të menaxhuar me ata menaxherë, ne në MDA jemi në kërkim të liderëve dhe jo menaxherëve. E sot, çdo punonjës mund të bëhet lider. Kjo i bie sikurse personat e popullarizuar të cilët, në Instagram apo Twitter, kanë me qindra-mijëra apo miliona përcjellës. Pra, liderë të cilët kanë përcjellës jo pse i komandojnë ata në një apo mënyrë tjetër, por sepse ua kanë kanë fituar zemrat atyre.

Harrova ta them një gjë shumë të rëndësishme më herët; ne paraprakisht marrim në punë kolegë të qeshur ngase, siç thotë edhe Prof. Arte Nathan nga Center for Professional and Leadership Studies, pranë Universitetit të Nevadas, “Buzëqeshjen nuk mund t’ua mësosh punonjësve. Duhet të jenë të qeshur para se t’i punësoni ata”.
Në këtë mënyrë e gjithë kënaqësia e punës dhe rezultateve të saj ndahet bashkërisht dhe në mënyrë meritore nga të gjithë punonjësit. Kështu, të gjitha sukseset e së kaluarës, sfidat e së tashmes dhe mundësitë e së ardhmes bëhen të përbashkëta.
Andaj, le t’i thyejmë të gjithë kufijt e potencialit njerëzor, ngase kjo në fakt edhe do jetë përparësia jonë e re në tregjet konkurruese.

Thënia e ditës: “Your smile is your logo. Your personality is your business card. How you leave others feeling after an experience with you becomes your trademark”.