Me një konferencë, kompania Management Development Associates (MDA) përmbylli sot projektin “Krijimi i mundësive për punësimin e personave me aftësi të kufizuar (PAK)”. Ky projekt u implementua në bashkëpunim me partnerin e MDA-së nga Austria ipcenter.at dhe u financua nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Me këtë rast gjatë konferencës u mbajt një panel prezantimi dhe diskutimi ku ishin prezent përfaqësues nga MPMS, Oda Ekonomike Amerikane, Rrjeti CSR i Kosovës, Shoqata Handikos dhe MDA. Panelistët theksuan rëndësinë dhe domosdoshmërinë e inkuadrimit të PAK-ve në tregun e punës, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Si përfaqësues nga MPMS ashtu edhe përfaqësuesit e sektorit privat u zotuan se do te vazhdojnë angazhimin e tyre për të krijuar kushte për punësimin e PAK-ve. Për më tepër përfaqësuesit e sektorit publik dhe sektorit privat, në prani të mediave, ftuan ndërmarrjet afariste Kosovare t’i krijojnë kushte dhe të ofrojnë mundësi punësimi të persona me aftësi të kufizuara.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i shoqatës Handikos, z. Afrim Maliqi, foli për vështirësitë që PAK kanë në mundësinë e punësimit të tyre. Ai u shpreh se një projekt i tillë është shumë i mirëseardhur për ta dhe se shpreson që kompanitë afariste do të ndërmarrin hapin tu ofrojnë mundësi punësimi PAK-ve.

Përfaqësuesi nga MDA, z. Hamit Qeriqi, njëherësh edhe udhëheqës i projektit, prezantoi të arriturat e projektit gjatë 9 muajve të kaluar. Kështu, projekti arriti të ofrojë trajnime në 15 module ku u trajnuan 150 PAK nga shoqata Handikos dhe Shoqata e të Verbërve dhe me Pamje të Dobësuar. Ata u trajnuan në lëmi të ndryshme duke përfshirë trajnime në kërkim të punës, teknologji informative, shkrimin Braille, punë administrative, marketing dhe shitje. Po ashtu ky projekt implementoi edhe një fushatë të gjerë vetëdijësuese ku është theksuar domosdoshmëria dhe nevoja e punësimit të PAK-ve. Personave të trajnuar nga ky projekt u shpërndan edhe certifikata për trajnimet e përfunduara.

MDA në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane dhe Rrjetin CSR të Kosovës organizuan edhe një sesion të takimeve me 10 ndërmarrje të ndryshme, ku PAK-të patën mundësinë të bisedojnë dhe të prezantojnë aftësitë e tyre tek bizneset në mënyrë që të shikohet mundësia e punësimit të tyre nga këto kompani. Në një sesion që zgjati për rreth tri orë të gjithë personat me aftësi të kufizuar që janë trajnuar nga ky projekt u intervistuan nga udhëheqësit e burimeve njerëzore të 10 kompanive afariste.

Ky projekt ka synuar krijimin dhe rritjen e mundësive për punësim për Persona me Aftësi te Kufizuara, përmes ngritjes së kapaciteteve profesionale të Persona me Aftësi te Kufizuara dhe përmes promovimit dhe informimit të shoqërisë për nevojat dhe aftësitë e tyre.