Qëllimi i projektit “Reforma ligjore” është identifikimi i atyre shërbimeve që kërkohen nga institucionet, bizneset, organizatat jo-qeveritare dhe qytetarët e që ofrohen nga ministritë, agjencitë ekzekutive dhe komunat. Kompania Management Development Associates ka nënshkruar kontratë me GiZ për implementimin e këtij projekti.

Kompania MDA ka arritur marrëveshje për zbatimin e projektit që mundëson vlerësimin dhe përmirësimin e shërbimeve publike të ofruara për qytetarët e Kosovës. Projekti “Reforma ligjore” ka nisur në nëntor të këtij viti dhe do të zgjasë 5 muaj. Aktivitetet që po ndërmerren gjatë implementimit të projektit janë zhvillimi i një studim – vlerësimi që do të fokusohet në shërbimet publike që ofrohen tek qytetarët dhe tek bizneset në Kosovë. “Ky vlerësim do të ofrojë informata të detajizuara dhe një vështrim të sistemit aktual të shërbimeve publike.

Projekti poashtu do të nënvizojë kornizën e organeve publike dhe të identifikojë mbetjet të cilat e ngadalësojnë implementimin e ligjit të administratës publike në këto institucione”, tha Hamit Qeriqi, përgjegjës i projektit. Qëllimi i projektit, sipas Qeriqit, është identifikimi i atyre shërbimeve që kërkohen nga institucionet, bizneset, organizatat jo-qeveritare dhe qytetarët e që ofrohen nga ministritë, agjencitë ekzekutive dhe komunat.

Projekti do t’i shërbejë Ministrisë së Administratës Publike – Departamentit për menaxhimin e reformës së administratës publike, në kuadër të dizajnimit të planit strategjik për zbatimin e aktiviteteve të reformës së institucioneve të administratës publike.

Metodat që do të përdoren në procesin e vlerësimit përfshijnë hulumtimet, intervistat dhe vizualizimin e shërbimeve. Një nga objektivat poashtu është krijimi i databazës e cila do të listojë të gjitha shërbimet që ofrohen në institucionet publike përkatëse. Në të kaluarën, MDA ka bërë analizë të ligjeve, udhëzimeve administrative dhe të rregulloreve që kanë të bëjnë me mandatin dhe shërbimet e administratës publike në Kosovë. Tjetër aktivitet i projektit është zhvillimi i rekomandimeve sesi duhet të përmirësohet niveli dhe efikasiteti i shërbimeve publike për qytetarët, si dhe implementimi i rekomandimeve.