Objektivi kryesor i projektit “Perspektiva e BE-s në Kosovë” (EUPK) ka qenë promovimi i perspektivës evropiane në Kosovë. Ky projekt për 4 vjet u menaxhua nga kompania Management Development Associates (MDA).

Zgjerimi i njohurive të qytetarëve për të ardhmen evropiane të Kosovës, në veçanti lidhur me mundësitë dhe sfidat që paraqet ndërtimi i marrëdhënieve mes vendit tonë dhe Bashkimit Evropian, kanë qenë synimet kryesore të projektit “Perspektiva e BE-së në Kosovë” (EUPK).

Ky projekt është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kurse u implementua nga kompania Management Development Associates. Projekti “Perspektiva e BE-së në Kosovë” është një nismë që për qëllim e ka patur ngritjen e vetëdijes për Evropën, t’ju ofroj të rinjve njohuri mbi politikat dhe objektivat dhe funksionimin e BE-së. Projekti në fjalë implementoi një sërë aktivitetesh që ndërlidhen me integrimin evropian, duke përfshirë edhe marrëdhëniet me publikun, monitorimin e mediave, mirëmbajtje të ueb faqes, organizim ngjarjesh, hulumtim të tregut, prodhim të videove dhe dokumentarëve të ndryshëm, mbajtjen e trajnimeve, etj.

Projekti i shërbeu tërë shoqërisë kosovare, ngase solli aktivitete mjaft informuese për integrimin evropian dhe krijoi bazën për përmirësim të vazhdueshëm në këtë fushë. Aktivitetet që janë ndërmarrë gjatë implementimit të projektit janë realizimin i pesë dokumentarëve me tema të ndryshme sa i përket realitetit në Kosovë, një tekst shkollor “Të nisemi për në Evropë” që po përdoret në klasat e nënta, kuizi Europa për shkollat fillore, një udhëtim dhjetë ditor në disa shtete Evropianë, trajnime të trajnuesve, etj.

“Ky projekt ka zgjatur katër vite dhe ka qenë mjaft efektiv ngase kanë përfituar fëmijë të shkollave fillore dhe të mesme, studentë, gazetarë, ekspertë”, tha Florina Salihu drejtuese e divizionit të komunikimit në MDA. Për projektin në fjalë, sipas Salihut, MDA ka angazhuar edhe ekspertë të jashtëm që aktivitetet të realizohen në mënyrë sa më profesionale.

MDA ka një përvojë mbi 14 vjeçare në menaxhimin e rreth 200 projekteve dhe fushatave të ndryshme, të realizuara për kompani vendore, të huaja dhe pothuajse për të gjithë donatorët e huaj që veprojnë në Kosovë. Këto projekte aktualisht koordinohen nga 35 bashkëpunëtor të kompanisë MDA. Në mesin e klientëve të MDA-së janë Banka Botërore, Zyra ndërlidhëse e Bashkimit Evropian në Prishtinë, USAID, GiZ, UNDP Kosova, Qeveria e Kosovës dhe institucione të tjera publike si Enti i Statistikave të Kosovës, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).