Ngritja e vetëdijes së qytetarëve mbi liberalizimin e vizave dhe përshpejtimi i këtij procesi janë objektivat e projektit “Përgatitja e spoteve, dizajnimi dhe shtypja e materialeve për MIE” që po implementohet nga MDA.

Informimi i qytetarëve të Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave dhe sensibilizimi i opinionit publik për gjendjen e tanishme të Kosovës në këtë proces janë objektivat kryesore të projektit “Përgatitja e spoteve, dizajnimi dhe shtypja e materialeve për nevojat e Ministrisë së Integrimit Evropian”. Ky projekt financohet nga Ministria e Integrimit Evropian në Kosovë dhe implementohet nga kompania MDA.

Projekti sipas drejtuesve të Management Development Associates, është një nismë e cila synon ta ngrisë vetëdijen për procesin e liberalizimit të vizave, t’ju ofroj të rinjve njohuri lidhur me lëvizjen e lirë, pasojat e migrimit jo të rregullt si dhe të informoj sa më mirë për kushtet që plotëson Kosova për riatdhesim/riintegrim të familjeve të kthyera nga perëndimi.

“Kryesisht, fushata ka për qëllim të informojë dhe të vetëdijësojë pjesën e popullatës më pak të arsimuar, me të ardhura më të ulëta, që është nën moshën 40 vjeçare”, thotë Florina Salihu nga MDA.

Projekti implementon një sërë aktivitetesh që ndërlidhen me integrimin evropian, përfshirë këtu marrëdhëniet me publikun, monitorimin e mediave, mirëmbajtje të uebfaqes, organizim i ligjëratave publike, prodhim i videove dhe dokumentarëve të ndryshëm, prodhim i fletushkave dhe broshurave. Aktivitetet që janë ndërmarrë gjatë implementimit të projektit janë tre dokumentarë me tema të ndryshme sa i përket realitetit në Kosovë, disa ligjërata publike, tri broshura, materiale promovuese, video dha audio spote etj.

“Ky projekt ka filluar në fillim të vitit 2013 dhe do të zgjasë deri në fund të vitit 2015, mund të them që është një projekt efektiv ngase prej tij po përfitojnë shumë qytetarë të Kosovës”, shton Salihu.

Për projektin në fjalë, MDA ka angazhuar edhe ekspertë të jashtëm që aktivitetet të realizohen sa më profesionalisht.