Përmes projektit “Rritja e punësimit të të rinjve Kosovarë”, programi Avancojmë Kosovën së bashku (AKT), program i USAID Kosovë, synon zbutjen e papunësisë të të rinjve në Kosovë duke u fokusuar në zhvillimin e aftësive ndërmarrëse me qëllim që të krijohen kushte për vetë-punësimin e të rinjve Kosovarë.

Projekti, i cili implementohet nga Fondacioni MDA, synon të ofrojë ngritjen e aftësive ndërmarrëse të të rinjve përmes trajnimeve të ndryshme në lëmin e ndërmarrësis dhe në sigurimin e investimeve për suksesin e biznes idesë.

Të rinjtë Kosovarë që kanë ide biznesi mund të drejtohen në www.mda-foundation.org dhe të aplikojnë me idenë e tyre. Përmes një komisioni përzgjedhës, idetë do të vlerësohen dhe nëse ato i përmbushin kriteret e caktuar nga ky programi do të ftohen të jenë pjesë e këtij projekti. Idetë e përzgjedhura do te kenë mundësinë të kalojnë një periudhë prej 3 muajve në inkubatorin e biznesit te Fondacionit MDA ku do të zhvillojnë biznesin e tyre.

Ky është një kombinim gjithëpërfshirës i trajnimit dhe mësimit individual për biznes. Zhvillimi i këtij projekti është bërë në atë mënyrë që t’u ndihmojë ndërmarrësve të rinj që të zhvillojnë aftësitë ndërmarrëse dhe të tërheqin investime. Ky program do të jetë në dispozicion për 48 të rinj, të moshës prej 18-30 vjeç, që i përkasin komunitetit shqiptar dhe serb nga 12 komunat e synuara. Nga secila komunë do të përzgjidhen 4 pjesëmarrës dhe gjatë këtij procesi do të aplikohet parimi i barazisë gjinore (2 meshkuj dhe 2 femra). Në kuptim të ndarjes etnike, 24 pjesëmarrës do të jenë shqiptarë dhe 24 pjesëmarrës serbë. Aktivitetet e projektit do të zhvillohen në objektet e Fondacionit MDA në Prishtinë.

Përveç kësaj, dy idetë më të mira të biznesit do të marrin një grant në vlerë prej 1,000 eurosh si mbështetje financiare. Në anën tjetër, deri 5 pjesëmarrës do të përfitojnë një punë praktike të paguar për dy muaj në Fondacionin MDA, në MDA ose në ndonjë kompani tjetër private në rrjetin e MDA-së.

Programi është i hapur për të rinjtë e moshës 18 deri 30 vjecar që janë nga komunat Graçanicë, Kllokot, Novobërdë, Partesh, Ranillug, Shtërpcë, Gjilan, Istog, Klinë, Obiliq, Pejë, dhe Vushtrri. Afati i aplikimit në këtë projekt është i hapur deri me datën 31 maj 2015.