Puna ekipore është pjesë thelbësore e një biznesi, është e nevojshme për kolegët që të punojnë së bashku duke u përpjekur për të dhënë më të mirën. Në MDA çdo punë kryhet në ekip dhe çdoherë rezulton me sukses madje është një lloj personifikimi i fjalës së urtë popullore që “bashkimi bën fuqinë”.

Në kohë moderne shumë shërbime apo produkte finale krijohen si rezultat i hallkave të punës në ekip ku çdo pjesëtar është drejtpërdrejtë përgjegjës lidhur me suksesin apo dështimin e produktit apo shërbimit. Andaj puna ekipore është shumë e rëndësishme për çdo biznes ose organizatë sepse edhe suksesi i tyre varet shumë nga marrëdhëniet kolegiale mes stafit.

Puna ekipore përfshinë njerëz të profileve dhe të grupeve të ndryshme të cilët punojnë së bashku për të arritur një qëllim të përbashkët. Duke i bërë bashkë në një ekip punëtorët nga pjesë të ndryshme të një projekti, problemet apo pengesat në punë nganjëherë mund të evitohen më lehtë. Me t’u shfaqur një problem tërë ekipi mund të merret me të dhe puna mund të vazhdojë shumë më shpejtë sesa kur me çështjen merret një person i vetëm.

Në MDA puna në ekip mbështetet shumë nga menaxhmenti i kompanisë. Andaj ndonjëherë mendoj që puna në grup është edhe çelësi i suksesit të kompanisë. Në MDA çdo punë kryhet në ekip dhe çdoherë rezulton me sukses, madje është një lloj personifikimi i fjalës së urtë popullore që “bashkimi bën fuqinë”.

Java e Evropës, e organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë në bashkëpunim me MDA-në është një shembull i mirë i punës në ekip të stafit të MDA-së. Në këtë ngjarje ka aq shumë aktivitete të natyrave të ndryshme saqë është e pamundur që punët të kryhen vetëm. Pikërisht bashkëpunimi profesional mes kolegëve në MDA, ku secili ka dhënë maksimumin në punë, ka bërë që punët të realizohen në mënyrën më të mirë të mundshme.

Disa kompani përdorin punën në grup për të krijuar një mjedis pune që ndihmon në rritje të kreativitetit. Këto kompani nganjëherë bazojnë strukturën e tyre korporative pothuajse tërësisht rreth punës ekipore. Të jesh në gjendje për të punuar në mënyrë produktive brenda një ekipi është një nga aspektet më të rëndësishme për arritjen e suksesit në një mjedis biznesi. Është tepër e rëndësishme për të rritur kreativitetin në vendin e punës, përmirësimin e cilësisë së punës, si dhe nxitjen e marrëdhënieve të shëndetshme dhe produktive ndërmjet punëtorëve.

Ekipet mund të kryejnë punën më shpejt dhe në mënyrë më efektive sesa kur punohet individualisht, si dhe puna në ekip i shtyen punëtorët të jenë më të përgjegjshëm ndaj njëri tjetrit duke e ngritur në nivel më të lartë edhe motivimin. Një nga pengesat më të mëdha në arritjen e qëllimeve gjatë punës në ekip është se nganjëherë shpërndarja e punës nuk është e qartë dhe objektivat e caktuara mund të mos përmbushen.

Çdokush dëshiron të ndjehet se ka diçka më të rëndësishme për të kryer, kështu që duhet pasur kujdes kur ndahen punët, duhet siguruar që puna është organizuar mirë dhe rolet janë shpjeguar në mënyrë të qartë me direktivat dhe qëllimet konkrete. Anëtarët e ekipit duhet të kuptojnë se çfarë roli ata janë duke luajtur drejt qëllimit përfundimtar dhe të kuptojnë sesi roli i tyre është vendimtar për përmbushjen e këtij qëllimi. Kështu punëtorët do të jenë më të kënaqur dhe do sjellin një klimë më të mirë përbrenda kompanisë apo organizatës.