MDA në partneritet me HELVETAS Swiss Intercoopera­tion, është duke implementuar projektin e quajtur “EYE – Enhancing Youth Employment”, i cili synon trajnimin dhe edukimin e të rinjve në zhvillimin e aftësive për punë si dhe promovon investimet në sektorin privat që të rriten mundësitë për punësimin e të rinjve.

Rritja e mundësive për punësim të rinisë së Kosovës, përmes trajnimeve dhe aftësimit, është objektivi kryesor i projektit “EYE – Enhancing Youth Employement”, të financuar nga zyra zvicerane për bashkëpunim. Projekti në rend të parë synon që sistemi i ngritjes se kapaciteteve t’i përgatisë të rinjtë në mënyrë që aftësitë e tyre të përshtaten me nevojat e tregut në sektorin e ndërtimtarisë, shëndetësisë, teknologjisë informative dhe agrobiznesit.

Projekti synon të intervenojë në elementet që e lidhin sektorin privat me trajnimet formale (shkollat), ato jo-formale (trajnimet dhe kurset praktike) dhe sistemet arsimore, si dhe të ketë një ndikim më të madh në zhvillimin e sektorit privat përmes trajnimeve të avancuara që ofrohen nga trajnues privat. “Projekti EYE do ta lehtësoj ndihmën për ofruesit e aftësive duke iu mundësuar atyre që të ofrojnë shkathtësi pune sipas kërkesave të sektorit privat, për rininë kosovare, gjë që do të çojë drejt përmirësimit të punësimit të tyre”, thotë Driton Dalipi, përgjegjës për projektin EYE në MDA.

Objektiv tjetër i projektit është që në tregun e punës të ketë përputhje të kërkesës dhe ofertës, përmes zhvillimit të sistemit të tregut dhe shërbimeve të udhëzimeve për karrierë për të rinjtë në Kosovë. Kjo do t’ju mundësoj të rinjve që të kenë qasje në shërbime të ndryshme të ofruara nga sektori publik apo privat. Poashtu projekti ofron edhe shtytje për këshillim dhe mbështetje në për-caktim të zgjidhjeve për karrierë. Kjo sipas drejtuesve të projektit do të arrihet duke promovuar zgjidhje të reja dhe inovative që i përgjigjen rritjes së kërkesave për shërbime të tilla, duke u fokusuar veçanërisht në shembuj të bizneseve të qëndrueshme.

Poashtu qëllim i projektit është promovimi i investimeve nga sektori privat për të gjeneruar punësim dhe qasje për ndërmarrësit e rinj në shërbime mbështetëse të cilat do t’ju mundësojnë atyre që të nisin dhe punojnë me bizneset e tyre. Projekti “EYE – Enhancing Youth Employement” ka nisur në nëntor të vitit 2012 me financim nga zyra zvicerane e bashkëpunimit me një shumë prej 7 milion frangash. Helvetas Swiss Intercooperation është kryesuesi i projekti kurse MDA është partner implementues. Projekti do të zgjatë deri në dhjetor 2016.