Dokumentari “Na mungojnë, ende të zhdukur”, i prodhuar nga MDA për UNDP në Kosovë u shfaq më 4 nëntor 2014 në kinemanë ABC në kryeqytet. Dokumentari është pjesë e projektit “Mbështetje për drejtësinë tranzicionale në Kosovë” që fokusohet te personat e pagjetur. Ky dokumentar analizon aspektet më të rëndësishme të kësaj teme.

Vetëdijesimi i popullatës kosovare mbi procesin e identifikimit, mbi fatin e personave të pagjetur dhe mbështetja për drejtësinë e Kosovës janë objektivat kryesore të synuara nga filmi dokumentar “Na mungojnë, ende të zhdukur”, që u shfaq para publikut kosovar me 4 nëntor 2014. Ky dokumentar është realizuar në kuadër të projektit “Mbështetje për drejtësinë tranzicionale në Kosovë”, nën menaxhimin e kompanisë MDA për nevojat e UNDP-së në Kosovë.

Projekti në fjalë i referohet shkallës së lartë të abuzimit që ka ndodhur në Kosovë në të kaluarën, me theks të veçantë për çështje që kanë të bëjnë me personat e zhdukur. Në ceremoninë e shfaqjes së dokumentarit morën pjesë të gjithë njerëzit që kanë qenë pjesë e dokumentarit. Shfaqja e pamjeve bëri që në një mënyrë familjarëve t’ju rikujtohen më të dashurit. Në sytë e tyre qartë shihej dhimbja, ndërsa nuk munguan as lotët. Shfaqja e dokumentarit u shoqërua edhe me disa fjalime nga disa folës, duke përfshirë ambasadoret e Francë dhe të Zvicrës. Këto dy ambasada e kanë përkrahur financiarisht projektin.

Nuk mungoi as fjalimi nga përfaqësuesi i zyrës së Kombeve te Bashkuara të cilët poashtu e përkrahën prodhimin e këtij dokumentari. “Ky dokumentar është realizuar për të paraqitur një formë më të prekshme të çështjes duke sjellë histori të vërteta dhe informacion të dorës së parë nga njerëzit që janë prekur më shumë nga konflikti i së kaluarës, tha Florina Salihu, drejtuese e divizionit të komunikimit në MDA.

Aktivitetet që u realizuan gjatë implementimit të projektit përfshijnë zhvillimin e konceptit të dokumentarit, përzgjedhjen e personave për t’u intervistuar, realizimin e incizimeve dhe post-produksioni. Për projektin në fjalë, MDA ka angazhuar edhe ekspertë të jashtëm.