Në kuadër të fushatës vetëdijësuese për informimin e punëdhënësve dhe punëtorëve rreth sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës si dhe informimin për punën formale, Inspektorati i Punës mbajti sot një takim me përfaqësuesit e kompanive në komunën e Prishtinës.

Në një takim të organizuar nga Inspektorati i punës në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës në Prishtinë, takim ky i organizuar në kuadër të fushatës vetëdijësuese me moton “Nga puna e sigurtë dhe e ligjshme përfitojnë të gjithë”, Inspektorati i Punës takoi përfaqësuesit e kompanive në Prishtinë të cilët i njoftoi se me anë të kësaj fushate synon ngritjen e vetëdijes tek punëdhënësit dhe punëtoret për rendësin e zbatimit të ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe ligjit të punës.

Në këtë takim kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, z. Basri Ibrahimi, tha se inspektorati i punës synon që punëdhënësit dhe punëtoret të vetëdijesohen për obligimet dhe të drejtat e tyre dhe të bashkëpunojnë në përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës. Poashtu z. Ibrahimi u shpreh se inspektorati i punës nuk e ka qëllim prioritar t’i gjobisë punëdhënësit, por të sigurojë që të njëjtit të krijojnë kushte të sigurta dhe të shëndetshme të punës, si dhe të gjithë punëtoret t’i gëzojnë të drejtat e plota të përcaktuara me aktet ligjore dhe nënligjore të Republikës së Kosovës. Z. Ibrahimi tha se “Siguria dhe shëndeti i mire në vendin e punës si dhe puna formale krijojnë punë pa stres, rrisin motivimi dhe efikasitetin në punë”.

Kryeinspektori foli për shumë parregullsi që hasen gjatë inspektimeve nga Inspektorati i Punës. Vetëm gjatë vitit 2014, Inspektorati Punës bëri mbi 9 mijë inspektime ku u shqiptuan mbi 2700 vërejtje për punëdhënësit dhe atyre qe nuk u janë përgjigjur vërejtjeve u janë shqiptuar 170 gjoba. “Këto vërejtje dhe gjoba u shqiptuan për arsye se punëdhënësit nuk krijojnë kushte të sigurisë për punëtorë. Për më tepër kemi hasur në një numër të madh të punëtorëve pa kontrata, dhe kjo është një dukuri që ne mundohemi ta eliminojmë” tha z. Ibrahimi. Ai shtoi se i paralajmërojmë punëdhënësit se për punëtorë pa kontrata pune nuk do të ketë afat shtesë por do t’u shqiptohen gjoba që në inspektim të parë.

Përfaqësuesit e Inspektoratit të Punës e shprehen gatishmërinë e tyre për bashkëpunimit me bizneset e ndryshme në mënyrë që atyre t’u lehtësohet zbatimi i ligjeve nga këto dy fusha, aty ku bizneset e shohin të arsyeshme dhe të nevojshme.

Në anën tjetër përfaqësuesit e bizneseve e përshëndetën iniciativën e Inspektoratit të Punës për fushatën vetëdijësuese dhe potencuan rëndësinë e vetëdijesimit të bizneseve për sigurinë dhe shëndetin ne vendin e punës. Sipas tyre është e rëndësishme që të krijohet raporti i ndërsjellë në mes punëdhënësve dhe punëtoreve, raport që përcakton të drejtat dhe obligimet e të dyja palëve.