23 Dhejtor

“Martesa në moshë të hershme nuk është trafikim. Vajzat martohen me shkesi në qytetin tonë me burra më të mëdhenj në moshë me të cilat familja ka rënë dakord. Unë sot u çudita kur mësova se kjo formë martese quhet trafikim” shprehet K.K, nxënëse në shkollën e mesme të Peshkopisë.

UNICEF Albania, ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi dhe informimi kundër trafikimit të qënieve njerëzore jo vetëm në Dibër, por edhe në Shkodër, Kukës, dhe Tiranë. Kjo fushatë ka marrë shtysën dhe është orientuar nëpërmjet studimit të kryer nga UNICEF, i cili hedh dritë për herë të parë mbi nivelin e njohurive, sjelljes dhe praktikave të të rinjve shqiptarë ndaj trafikimit të qenieve njerëzore në katër rajonet e sipër përmendura. Gjithashtu, ky studim përpiqet të identifikojë kanalet e komunikimit që përdoren më gjerësisht nga ana e tyre për të mësuar më shumë mbi çështjet sociale përfshi dhe trafikimin.
UNICEF në bashkëpunim me MDA ka zhvilluar gjatë këtij muaji 7 sesione me 130 pjesëmarrës në të katër rajonet e përfshira. Dhjetra të rinj, prindër, mësuesë, psikologë, përfaqësues të njësive për mbrojtjen e fëmijëve dhe përfaqësues të drejtorive arsimore, kanë qenë pjesë e këtyre takimeve ku është diskutuar mbi format e trafikimit, mbi rëndësinë që ka referimi dhe denoncimi pranë institucioneve përgjegjëse.

Nxënësi A.B., nga shkolla nëntë-vjeçare Hillary Clinton në Kamëz, tha se nuk quhej trafikim nëse bëhej nga familjarët apo prindërit për shkak të nevojave ekonomike. 13 vjeçari, beson se të punosh për të ndihmuar familjen nuk do të thotë të jesh i trafikuar.

Punonjësja e Njësisë për mbrojtjen e fëmijëve në Paskuqan tha se gjatë punës së saj hasej me fëmijë që lypnin, raste këto që kryheshin nga vetë familjarët për shkak të varfërisë.

Kjo fushatë ndërgjegjësimi dhe informimi do të vijojë deri në qershor të vitit 2021 me qëllimin e ndërgjegjësimit dhe informimit të sa më shumë të rinjve dhe ndryshimin e veprimit dhe sjelljes së tyre ndaj këtij fenomeni.