Management & Development Associates (MDA) do të vazhdoj punën për Zyrën e BE-së në Kosovë përmes zgjatjes, edhe për një vit, të kontratës për menaxhimin e Qendrave informative dhe kulturore të BE-së në Prishtinë dhe në Mitrovicën e Veriut.

Qendrat informative kulturore të BE-së në Prishtinë dhe në Mitrovicën e Veriut, që e promovojnë Bashkimin Evropian, do të vazhdojnë të menaxhohen nga Management Development Associates (MDA) edhe në vitin 2015.

Për të tretin vit me rradhë MDA e ka nënshkruar kontratën për menaxhimin e këtyre qendrave informative dhe kulturore në kryeqytet dhe në Mitrovicën e veriut. Qëllimi i qendrave është informimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës mbi aktivitetet e BE-së në vendin tonë dhe më gjerë.

“Kontrata e nënshkruar së fundmi mes MDA-së dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, dëshmon bashkëpunimin e mirë të të dy palëve dhe realizimin me sukses të qindra aktiviteteve, të realizuara nga këto qendra të cilat janë menaxhuar nga ne në këto tri vitet e fundit”, tha Florina Salihu udhëheqëse e divizionit të komunikimit në MDA. Sipas Salihut këto dy qendra informative kanë karakter informues dhe kulturor, ku qytetarët e interesuar mund të gjejnë informata mbi BE-në dhe aktivitetet e BE-së në Kosovë.

Ajo shtoi se qytetarët mund të jenë pjesë e ngjarjeve të ndryshme kulturore që organizohen nga këto qendra.

Këto dy qendra, gjatë tërë vitit, u ofrojnë qytetarëve materiale informuese mbi ligjet e BE-së, standardet jetësore të shteteve anëtare të BE-së, kushtet dhe mundësitë e studimit në këto vende si dhe materiale të tjera informuese të cilat gjenden edhe të ilustruara për gjeneratat e reja. Në këto qendra organizohen edhe ligjërata lidhur me ligjet e BE-së, zhvillimin e karrierës dhe lehtësimin e punësimit, mbi aplikimin për bursa studimi në vendet anëtare të BE-së si dhe ligjerata të tjera sipas kërkesës.

MDA ka një përvojë 13 vjeçare në menaxhimin e projekteve dhe fushatave të ndryshme, të realizuara për kompani vendore, të huaja dhe pothuajse për të gjithë donatorët e huaj që veprojnë në Kosovë. Deri tani MDA ka arritur të menaxhojë mbi 200 projekte të ndryshme.