3 Qershor

5050 të rinj, mësues, prindër, psikologë, punonjës pranë strukturave të caktuara në pushtetin vendor, janë bërë pjesë e fushatës së ndërgjegjësimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore në vetëm 6 muaj të organizuar nga UNICEF Albania në bashkëpunim me MDA.
Edhe pse në kohë të vështira për shkak të pandemisë u bë e mundur ngritja e 4 ekipeve të asistuesve vendorë secila me dy anëtarë, të cilët kanë zhvilluar takime dhe aktivitete të ndryshme në 85 shkolla, 17 bashki të Shqipërisë dhe kanë biseduar në mënyrë aktive me 5050 persona duke i informuar mbi trafikimin e qenieve njerëzore dhe duke i ndërgjegjësuar ata mbi fenomenin.
Alsenja Demaliaj, njëra prej tyre thotë ”Për mua ka qenë një eksperiencë unike. Kanë qenë të shumtë njerëzit që kemi takuar, nxënës e të rinj, drejtues shkollash, psikologë, punonjës të Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, prindër dhe anëtarë të komunitetit. Ndihemi thellësisht mirënjohës që kemi njohur njerëz aq mirëkuptues e të sjellshëm, të cilët na kanë pritur ngrohtë e me kërshëri”.
Përgjatë të gjitha aktiviteteve të organizuara pjesëmarrësit kanë qenë të hapur e të zellshëm për të marrë njohuri të reja dhe janë angazhuar maksimalisht me ide dhe propozime konkrete për reagimin komunitar individual ose në grupe mbi fenomenin e trafikimit.
Motivimi dhe frymëzimi gjatë kësaj fushate ka qenë raporti i besimit të krijuar me të gjithë nxënësit e të rinjtë e përfshirë, si dhe dëshira e kërkesa për t’i rivizituar ambjentet e tyre. Dëshirojmë të falenderojmë të 5050 personat që u bënë pjesë e kësaj fushate dhe t’u themi FALEMINDERIT!